Ndjekje në det, kapet gomonia me 535 kg marijuanë, arrestohen 2 skafistët shqiptarë në Brindizi

  • 6 years ago
Itali- Falë patrullimit nga ajri, Guardia Di Finanza ka mundur të ndalojë një gomone me drogë në Brindizi. Në bordin e mjetit lundrues, të gjatë shtatë metra dhe me motorë të fuqishëm, ishin fshehur plot 535 kg marijuanë, që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Po ashtu janë arrestuar edhe skafistët, të dy shqiptarë. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për shtetasit me iniciale D.G.46-vjeç i dhe V.S 38-vjeç të dy nga Vlora. Ata do të hetohen për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Sipas raportimit të mediave italiane, nëse sasia e drogës arrinte të hidhej në treg, fitimi do të ishte 5 milion euro.

Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së sotme, ku gjatë patrullimit nga ajri është pikasur gomonia që po iu drejtohej brigjeve italiane. Autoritetet kanë vënë re një ngarkesë të dyshimtë në bord dhe kanë sinjalizuar forcat e Guardia Di Finanza të Barit, të cilët janë vënë në ndjekje. Skafistët shqiptarë kanë shtuar shpejtësinë në momentin që kanë kuptuar që po ndiqeshin, por e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë.Pasi janë neutralizuar nga policia italiane, në bordin e gomones u gjetën 26 pako me marijuanë.

Pas kapjes së gomones, autoritetet italiane nisën hetimet për të zbuluar më shumë detaje rreth origjinës së drogës, duke bashkëpunuar me Njësinë Kufitare të Guardia Di Finanza të stacionuar në Durrës dhe zyrën ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali.

Operacioni i radhës kundër trafikut të drogës në Kanalin e Otrantos, u finalizua edhe me mbështetjen e mjeteve detare të operacionit ?Themis 2018? të Agjencisë 'Frontex' të koordinuar në nivel kombëtar nga Qendra Ndërkombëtare e Koordinimit, të ngritur në komandën operative detare Pratica di Mare në Romë dhe në Puglia.

Recommended