U nis nga Vlora, kapet gomonia me 700 kg kanabis në Otranto, pranga dy trafikantëve shqiptarë
  • 6 years ago
Falë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane u bë e mundur kapja e një gomoneje që tentonte të trafikonte plot 700 kg marijuanë nga Vlora drejt brigjeve italiane. Guardia di Finanza e sinjalizuar nga partnerët shqiptarë arrestoi në bordin e saj edhe dy trafikantët D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç, të dy shqiptarë.

Si nisi operacioni i përbashkët
Policia Kufitare e Vlorës kishte siguruar informacione në rrugë operative dhe u  vu në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin. Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve. 

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse. 

Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë. 

Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.
Recommended