Report TV - 'Tregu' i armëve në Tiranë/ Nga Tufina në Kashar, zonat ku janë zbuluar dhe çmimet
  • 6 years ago
Në 21 janar të 2018-së, Aldison Belulaj vrau ish të dashurën e tij Ariela Muratin. 23-vjeçari disa orë para se të vriste Ariela Muratin bleu një pistoletë 400 mijë lekë të vjetra, një armë që më pas solli dy viktima. Mjafton të kujtojmë këtë ngjarje në Tiranë, për të kuptuar sa e thjeshtë është sot për të blerë një armë në Shqipëri. Disa baza ku shiten armatime janë zbuluar në kryeqytet. Vetëm pak ditë më parë në zonën e Selitës u zbulua një arsenal armësh ku furnizoheshin grupet kriminale, duke përfshirë kallashnikov dhe snajpera. Por ku gjenden sot armët dhe sa kushtojnë për t?i blerë?

Report TV u interesua pranë burimeve në Policinë e Shtetit, të cilët thanë se janë zbuluar disa baza në Tiranë ku shiteshin armë, duke filluar që nga Kombinati, Selita, Tufinë por edhe në zonën e Kasharit. Çmimet e pistoletave dhe kallashnikove variojnë sipas modelit të armës. Një pistoletë në Tiranë për t?a blerë kushton rreth 500 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që për kallashnikovët çmimi fillon nga 800 mijë lek. Për armët të cilët janë prodhuar vitet e fundit çmimet shkojnë deri në 2 milionë lek. Burime nga Policia thanë se në treg ka ende armë të vitit 1997, por gjerësisht po shiten modelet e reja të prodhimit.

Pavarësisht se në Shqipëri janë bërë disa herë amnisti për dorëzimin e armëve, përsëri numri i tyre në vend është i lartë. Vrasjet e fundit që kanë ndodhur në Tiranë, janë të gjitha të bëra me pistoleta dhe kallashnikovë të paregjistruar, që do të thotë armë që blihen në tregun e zi. Në çdo rast që ndalohen anëtarë të grupeve kriminale, sekuestrohen arsenal armësh, si në rastin e vrasësve të dyshuar të Devi Kasmit, ku në një banes në Mëzez u gjetën edhe lloje të ndryshme armësh. Kontrollet për armëmbajtje pa leje nuk kanë qenë efektive dhe Policia duhet të mendojë një metodë më efektive.
Recommended