Gati shkrirja ne nje e Hipotekes, ALUIZNI-t dhe Agjencise se Pronave

  • 6 years ago
E premtuar në fushatën e zgjedhjeve të shkuara, reforma që parashikon të shkrijë në një institucion të vetëm Hipotekat, ALUZINI-n dhe Agjencinë e Pronave do të prezantohet në muajin Shtator.

"Në shtator jemi gati të lançojmë reformën që është punuar që në verën e shkuar, pa u krijuar ende qeveria e re, reformën për të cilën jemi zotuar të bashkimit të institucioneve të pronës. Për të pasur një agjenci kombëtare të pronës në mënyrë që të mos shkosh të ALUIZNI ta marrësh e pastaj te hipoteka s?ta jep, për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, po për të pasur një institucion, një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore, do të racionalizojë burimet njerëzore që kemi në dispozicion në këto institucione, do të mundësojë një ecuri shumë më të shpejtë dhe efikase të modernizimit të brendshëm të këtyre institucioneve. Do të krijojë brenda këtij institucioni të ri një strukturë apeli në mënyrë që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë në gjykatë po të apelojnë brenda institucionin në një strukturë që është autonome, që do të ulë në mënyrë drastike kohën mundimet dhe mbi të gjitha do të ulë në mënyrë drastike gjithë atë dëshpërim që krijohet".

Të mërkurën, vetë Kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar nisin zyrtarisht pushimet e verës, por duket se këtë fat nuk do ta kenë dhe koordinatorët e zyrës së bashkëqeverisjes. Një pjesë e tyre do ta vazhdojnë të qëndrojnë në punë siç pranon Kryeministri në takimin e përjavshëm me të ku u prezantuan raste të reja që kanë gjetur zgjidhje pasi kanë adresuar ankesat e tyre për sportelet publike në portalin e bashkëqeverisjes.

"E di që pavarësisht nga javët e pushimeve zyra do të vazhdojë të funksionojë, sepse nuk është një zyrë si të gjitha të tjerat, po një zyrë që siç është në xhepin e qytetarëve, është në tavolinën e shtëpive, kudo ku ka një kompjuter, në zyrat që ofrojnë këtë mundësi , dhe po ashtu në smartphone e koordinatorëve. Është një punë që mund të bëhet nga çdo pikë. E keqja brenda zyrave të shërbimeve për qytetarët. Jam shumë i vetëdijshëm që jemi ende larg objektivit tonë, por dua të siguroj të gjithë se do e arrijmë objektivin dhe ndërveprimi i përditshëm, me mijëra e mijëra qytetarë që ditë pas dite janë shtuar radhës së atyre që kanë bërë këtë zgjedhje për të ndërvepruar me ne, është një nga rrugët për të arritur objektivin".

Kryeministri përsërit lutjen në adresë të qytetarëve për të vijuar t'i drejtohen këtij portali për çdo rast korrupsioni apo zvarritje që hasin në administratën shtetërore.

Recommended