Hungari, Meta takon Orban: I impresionuar nga mbështetjen e tij për çeljen e negociatave me BE

  • 6 years ago
Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Ilir Meta është pritur në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán. Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Presidencës, thuhet se Meta i shprehu mirënjohjen kryeministrit Orbán për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së zotit Orbán për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta, nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t?i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orbán, Presidenti Meta, shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orbán.

Recommended