Report TV - Kuvendi Kombëtar i PD, Basha: Kam pranuar gabimet dhe përgjegjësitë e mia

  • 6 years ago
Partia Demokratika ka tashmë një "Kushtetutë" të re mbi bazën e të cilës do funksionojë partia. Statuti i jep Bashës më shumë fuqi, ndërsa ndryshimet prekin edhe kryesinë ku përjashtohen krerët e departamenteve. Risi nga ndryshimet staturore është edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, një ide kjo e kritikëve, por që u rrëzua nga Këshilli Kombëtar. Sot e propozoi Lulzim Basha dhe delegatët e votuan unanimisht.

Një tjetër risi e statutit është edhe përfshirja e Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar në cilësinë e ish-kryetares së Kuvendit, por pavarësisht kësaj ajo nuk ndali sulmet ndaj Bashës të cilit sot i kërkoi të largohej në Holandë.

Basha bën "mea culpa" përpara delegatëve të Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi me akuza ndaj qeverisë për varfërinë, krimin, korrupsionin, çështjen "Tahiri" si dhe iu rikthye edhe marrëveshjes së 18 majit, fjalimin 60 minutësh përpara delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD ku u miratuan ndryshimet statutore.

Për herë të parë Basha pranoi se demokratët dështuan në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ai tha se gabimet për humbjen e opozitës ishin të atij dhe për to, tha kryetari demokrat, mori përsipër përgjegjësitë.

Por pavarësisht ndjesës publike, Basha tha se në humbjen e PD ndikoi edhe marrëveshja e 18 majit e imponuar sipas tij nga ndërkombëtarët. Megjithatë, një nga pikat që ngjalli debate gjatë katër orë e 30 minuta diskutime në Kuvendin Kombëtar ishte neni që i jep Bashës pushtet të pakufizuar, sipas të cilit ai mund të shkarkojë kë të dojë.

Unë qëndroj sot para jush thellësisht mirënjohes, për mbështetjen tuaj. Kjo mbështetje ma ka bërë edhe më të madhe keqardhjen që nuk ia dolëm të ishim sot ne partia që drejton vendin. Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time.

Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi, por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me qëllimin për t?i shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit.

Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit?kam dëgjuar mendimet e tyre, kam pranuar kritikat e tyre, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen e tyre.

Përvoja është një mësuese e dashur, thoshte Benxhamin Frenklin. Unë kam besimin se së bashku me ju, duke mësuar nga gabimet, do ta fuqizojmë partinë tonë dhe ta bëjmë atë fituese. Partia Demokratike është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira për vendin.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Recommended