Dosja Habilaj, PD: Përgjimet provuan lidhjen e Tahirit me trafikun e drogës

  • 6 years ago
TIRANE-Partia Demokratike vijon që të kërkojë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat shprehet se ditët e fundit nga përgjimet kanë dalë prova të tjera që lidhin Tahirin me bandën e Habiljave në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Por këto prova, sipas tij, ?që përbëjnë bazën e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të arrestuar drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, janë bërë të pavlefshme për arrestimin e Saimir Tahirit, sepse ish Ministri i Brendshëm, ka mbrojtjen politike të Kryeministrit të vendit?.

Enkelejd Alibeaj mbyll reagimin e tij duke theksuar se kostoja e imunitetit politik për Saimir Tahirin mund të rezultojë shumë e lartë për shqiptarët, ?përderisa vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë Saimir Tahirin para drejtësisë që Shqipërisë t?i hapen negociatat e anëtarësimit?.

Nga përgjimet e autoriteteve italiane provohet se Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm, Jaeld Çela, Drejtor i Policisë së Vlorës i emëruar nga Tahiri, Florian dhe Moisi Habilaj, trafikantë droge që përdornin makinën e Tahirit, Gentian Çeka, shofer personal i Tahirit dhe Orest Sota, mik i Tahirit që iu gjetën 863 mije euro me patentat e Tahirit, janë një grup i strukturuar kriminal, secili me rolin e vet, me qëllimin e përbashkët, trafikimin e kanabisit drejt Italisë.