Mbyllet ARMO, qeveria ne kerkim te nje investitori te ri

  • 6 years ago
Rafineria e vetme e përpunimit të naftës në Shqipëri ARMO është mbyllur. 1200 punëtorë të uzinës së Fierit dhe Ballshit janë të papunë, ndërsa grupi investitor IRTC Oil është larguar.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se qeveria ka miratuar një vendim për të përshpejtuar procedurat e dhënies së pagesës së papunësisë për të gjithë naftëtarët.

Ministri Arben Ahmetaj: "Është marrë angazhim nga qeveria që zyra e punës në qarkun e Fierit të jenë në ndihmë të punonjësve të dy rafinerive për t'i ndihmuar për aplikimin e statusit të papunësisë në mënyrë që ata punonjës që sot janë papunë të përfitojnë menjëherë në bazë të ligjit pagesën e papunësisë".

Ahmetaj këkoi të qetësojë naftëtarët e mbetur pa punë dhe premtoi se qeveria është në kërkim dhe pritje të çdo oferte që vjen nga një grup investitor serioz, për të rivënë në punë rafinerinë.

Ministri Arben Ahmetaj: "Jemi në kërkim dhe në pritje të çdo investitori serioz për të vënë në punë ARMO-n".

Kompania ARMO është rivënë në punë në Shtator të vitit 2016-të nga një firmë amerikane e regjistruar në ishujt britanikë Virxhin në bashkëpunim me një firmë shqiptare. Investitori premtoi se do të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm të rafinerisë, por burime zyrtare thonë se deri në fund të vitit 2017-të borxhet në tatime e dogana vetëm gjatë një viti kanë arritur vlerën e 60 milionë dollarëve.