Report TV - PD protesta për të anuluar zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku

  • 6 years ago
Opozita shqiptare do të vijojë betejën edhe gjatë vitit 2018 kundër zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Opozita pretendon se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën dhe se ka kapur Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim për të mbyllur dosjet e njerëzve të saj.
Kështu, pas rrethimit të Parlamentit për tre orë me radhë dhe akteve të dhunës në seancën e fundit plenare, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për organizimin e protestave në janar, si formë presioni ndaj mazhorancës, për ta detyruar që të anulojë vendimin e miratimit të kryeprokurores së përkohshme. Në kuadër të këtij aksioni politik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të nisë një turn në rrethe, me qëllim mobilizimin e bazës.

Kryetari i opozitës dhe rrethi i tij i ngushtë nuk do të pushojnë as gjatë festave, por do të angazhohen për të maksimalizuar pjesëmarrjen e protestuesve në tubimet që do të mbahen në muajin janar. Takimet në bazë organizohen pas mbledhjes me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike dhe me deputetët, ndërsa në fokus të tyre do të jetë organizimi i protestave gjatë javës së tretë të janarit.

Basha do të bashkëbisedojë me qytetarët jo vetëm për zhvillimet politike, por edhe për të parë nga afër problemet dhe gjendjen ekonomike. Pra, siç duket, kryeprokurorja nuk do të jetë kauza e vetme e protestës së opozitës, por aksionit të ri politik do të mvishen edhe probleme ekonomike.

Recommended