Report TV - Meta kuvendit: Interpretoni ngërçin për KED

  • 6 years ago
Zbatimi reformës në drejtësi has në të tjera pengesa. Mos ngritja në kohë e institucioneve të reja, me efekt zinxhir kanë bllokuar njëra-tjetrën. Ngërçi i radhës është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Për këtë këshill, i cili rinovohet çdo vit, jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti kalendarik, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqesin Presidentit të Republikës listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet.

Më pas Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Në kushtet kur KLGJ dhe KLP nuk janë ngritur, Presidenti i Republikës, i gjetur në vakuum ligjor ka zhvilluar një konsultim me misionin Euralius.

Burime të Report TV saktësojnë se në këtë takim, Euralius ka sugjeruar që në kushtet ku nuk ka një zgjidhje korrekte ligjore, me vullnet politik, kandidaturat të merren nga KLD-ja dhe Këshilli i Prokurorisë ekzistues.

I vendosur në këto kushte të paqarta ligjore, Report TV mëson se presidenti Meta i ka dërguar një letër Kuvendit, ku i kërkon që të interpretojë këtë ngërç dhe të gjejë mekanizmat zhbllokues, si i vetmi institucion që ka detyrë të bërë interpretim autentik të ligjit.

Recommended