Çako: Lufta kundër kanabisit, prioritet për 2017 -ën

  • 7 years ago
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako informoi përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë, mbi veprimtarinë e Policisë së Shtetit për tre mujorin e parë të vitit 2017, si dhe mbi masat e marra për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike.

Në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit u zhvillua një takim i Drejtuesve të Lartë të Policisë së Shtetit me përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë.

Ky takim u zhvillua në kuadër të iniciativës "Për informimin e institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave homologe mbi rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike, terrorizmit, krimeve ndërkufitare dhe garantimin e sigurisë publike? dhe përfshiu periudhën raportuese Janar-Mars 2017.

Në një njoftim për mediat thuhet se, gjatë fjalës së tij Çako falenderoi të gjitha misionet policore që asitojnë punën e Policisë Shqiptare për kontributin e tyre në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe gjithashtu ka theksuar se prioritetet dhe objektivat për vitin 2017 janë në përputhje të plotë me direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të qeverisë shqiptare duke intesifikuar luftën e përbashkët ndaj çdo veprimtarie të paligjshme në vend, ku prioritet kryesor është parandalimi i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Altin Qato, mësohet se ka bërë prezent masat e marra nga Policia e Shtetit në zbatim të Plan-Veprimit Kombëtar për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkoitke, për goditjen dhe shkatërrimin e grupeve kriminale apo organizatave kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe për reduktimin në maksimum të përdorimit të lëndëve narkotike.

Përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë, gjatë fjalës së tyre, thuhet më tej në njoftim, kanë theksuar se standarti i vendosur vitin e kaluar dhe këtë vit për të komunikuar dhe për t'u informuar është shumë i rëndësishëm dhe i shërben rritjes së besueshmërisë dhe bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policive partnere.

Recommended