PD mbledh aleatët: Qeveria teknike, me kryeministër jo politik

  • 7 years ago
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi mbrëmjen e së mërkurës krerët e partive politike të koalicionit opozitar. Në fokus ka qenë situata politike, pas propozimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta për krijimin e një qeverie të besimit dhe refuzimit që i bëri Kryeministri Edi Rama këtij propozimi.

Televizioni Klan mësoi se në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe që përfundoi rreth orës 19:45 është folur në parim për formulën e qeverisë teknike dhe kryeministrin e saj. Sipas të djathtëve, kreu i kësaj qeverie nuk duhet të vijë nga politika.

Një tjetër çështje e diskutuar mes aleatëve të djathtë ishte mënyra e përfaqësimit, në rast të mbajtjes së negociatave me qeverinë. Është rënë dakord që në tryezë të mos ulen vetëm Lulzim Basha dhe Edi Rama, por pjesë të jenë edhe përfaqësues të partive të tjera të konsideruara të vogla.

Edhe më herët, kreu i opozitës Basha, thirrjes së Kryeministrit Rama për dialog, për gjithçka, kudo e kurdo, iu përgjigj se ai nuk do të bëhet pjesë e asnjë teatri kukullash dhe as e ndonjë pazari për të marrë disa karrige të pushtetit.

?Nëse do të ketë dialog politik, që e kemi kërkuar prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanë të opozitës me disa politikanë të maxhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, politik, të vazhdojë republika e vjetër. Republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijë zgjidhje fasadë, ku PD e opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukulla në shkëmbim të pazareve jo të interesave të shqiptarëve, por kupolës. Me pak fjalë, që PD dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llogmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër".

Pas fasadës që sheh tek oferta e Kryeministrit, Basha tha se fshihet një komplot, arkitekt i të cilit është jo vetëm Kryeministri, por edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas tij janë kthyer në avokatë të qeverisë së krimit e narkotrafikut.

?Orët në vijim do e shpalosin komplotin e republikës së vjetër, që mbështetet jo thjesht nga autorët që është kryeministri aktual dhe çeta e tij politike, por dhe nga oligarkët që janë mësuar të vjelin miliona përmes tenderave korruptivë dhe nga kriminelët që duan ta mbjellin Shqipërinë me drogë, si dhe një grusht avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me paratë e narkomafias shqiptare.?

Mbështetësve të opozitës, Basha u përsëriti se kjo javë është vendimtare për fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme, në themel të së cilës qëndron qeveria teknike, një kusht që vazhdon të jetë i panegociueshëm.

Tv Klan

Recommended