Report TV - Rama darkë 4 orë me Metën mister fati i koalicionit qeverisës

  • 7 years ago
Kryeministri Edi Rama dhe aleati kryesor në qeverisje, Ilir Meta zhvilluan një takim për rreth 4 orë në një nga restorantet te 'Pazari i Ri' në Tiranë.

Takimi mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ku pjesë e tryezës ishin edhe Erion Veliaj me Petrit Vasilin nisi rreth orës 21:00 dhe përfundoi në orën 01:00 pas mesnate.

Në qendër të diskutimit mes dy aleatëve në qeverisje ishte rinovimi i koalicionit edhe për një tjetër mandat, por ende nuk dihet se çfarë është vendosur në përfundim të 4 orëve.

Nga takimi i pari doli i buzëqeshur kryeministri Rama me kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa disa minuta pas tij u largua edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta me Petrit Vasilin.

Të dy palët, si Rama edhe Meta nuk kanë pranuar që të japin prononcime për mediat që ishin të pranishme poshtë restorantit ku po darkonin liderët e shumicës.

Takimi mes Ramës dhe Metës erdhi një ditë pas 1 Prillit, data e marrëveshjes së 4 vite më parë dhe pak orë pas ftesës që Rama i bëri kryetarit të LSI gjatë punimeve të Asamblesë së PS.

Rama u shpreh se socialistët janë gati, ndërsa i takon LSI për të vendosur. Por për të mësuar nëse Meta ka pranuar apo jo për të vazhduar bashkëqeverisjen duhet të pritet për ditën e nesërme për të zbardhur takimin mes dy palëve.