Report TV - Pamje të rënda/Taksia përplas personin me biçikletë

  • 7 years ago
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Një burrë rreth 40-vjeç është përplasur nga një taksist dhe ka marrë dëmtime të shumta në kokë dhe në trup. Në një video të siguruar nga Report TV dallohet qytetari i cili është i shtrirë në tokë dhe nuk mund të lëvizë.

Në video duket momenti kur vjen ambulanca dhe burri e ka të pamundur të lëviz, ndërkohë që nga përplasja ka shenja gjaku edhe në Bulevard. Burime nga Policia bëjnë me dije se qytetari me biçikletë ishte duke kaluar në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe është përplasur nga taksia.

Goditja ka qenë e fortë dhe i ka shkaktuar dëmtime të shumta atij. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që nuk është bërë ende identifikimi i tij. Policia ka shoqëruar shoferin e taksisë deri në momentin që do sqarohet ngjarja.

Mbrëmjen e djeshme kanë ndodhur dy aksidente të tjera ku makinat kanë përplasur biçikletat.