Report TV - PD: Tenderi për motorët e policisë 300 mln më shumë se vlera e tyre

  • 8 years ago
TIRANE - Pasi akuzuan ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, këtë të hënë demokratët hodhën akuza për një tjetër tender, atë të marrjes së 73 motorëve Aprilias për forcat Shqiponja dhe Policinë Rrugore. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa tha se ministri ka abuzuar duke shpallur fituese kompaninë e klientit të tij, me një vlerë prej 300 milionë lekë më shumë se sa ç'kushtojnë këta motorë.

Deklaratë e zëdhënëses, Ina Zhupa
Shtohen skandalet financiare të Saimir Tahirit. Përveçse e ka paracaktuar fituesin e tenderit për 73 motora të Policisë, Tahiri është kujdesur që fitimi i klientit të tij, të jetë marramendës.
Që në krye, Tahiri ka përcaktuar si fond limit për blerjen e këtyre motorave shumën 1 miliardë e 39 milionë lekë. Nga kërkimi, në faqen zyrtare të Aprilias, se një motorr i vitit 2014, me 750 kuaj fuqi, kushton 7400 euro, ose rreth 10 milionë lekë një. Sipas kësaj llogarie do të mjaftonin 730 milionë lekë për të blerë 73 motora të këtij lloji.

Por Saimir Tahiri është treguar dorëlëshuar me taksat e shqiptarëve, dhe ka ofruar 300 milionë lekë më shumë për këtë tender. Kriteret janë qendisur në mënyrë të atillë që tenderin ta fitojë klienti i tij, duke përjashtuar këdo që mund ti gjente më lirë këto motora jashtë Europës. Kështu në garë mbeti vetëm Edmondi SHPK, që u shpall fitues, me ofertën 928 milionë lekë. Siç e shihni nga ekrani, një motor i tillë kushton në internet 10 millionë lekë.

Por për Saimir Tahirin kushton 12.7 milionë lekë një. Pra llogaria është shumë e qartë. Përfitohen, më saktë vidhen 2 milionë e 700 mijë lekë për çdo motor. Për 73 motora, me një dorë Tahiri ndan 197 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve. Kjo llogari bëhet duke marrë parasysh çmimin me pakicë të motorit, 10 milionë lekë. Por kur dikush merr 73 copë, atëherë çmimi ulet shumë, dhe sigurisht norma e fitimit të Saimir Tahirit rritet akoma më shumë.

Tahiri po vazhdon të thellojë aferat korruptive me blerjet e Policisë, duke bërë edhe më shumë krenar shefin e tij Rama. Ai ende nuk i është përgjigjur pyetjes publike, që iu bë në ?top story?, se çfarë e lidh me Emiliano Shullazin.?

Recommended