Report TV - Boçi: Hetimi për Bushatin politik Rama do t'i mbyllë gojën opozitës

  • 8 years ago
TIRANE - Partia Demokratike e ka vlerësuar të ndikuar politikisht nga qeveria nisjen e hetimit për ish-kryetaren e Autoritetit të Mediave AudioVizive, Endira Bushati, aktualisht kryetare e Departamentit për Administratën Publike në PD.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti Luçiano Boçi tha se prokurori Enklid Gjini ka nisur hetimet nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama, me qëllimin sipas tij për t'i mbyllur gojën opozitës.

"Akuza se, AMA ka lejuar piraterinë, sepse ka detyruar televizionet kabllore që të mbartnin hapur dhe falas televizonet kombëtare, të cilat nuk shtrihen në 80 % të territorit sic e përcakton ligji, jo vetëm është qesharake nga pikëpamja juridike, por dëshmon dhe se prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim, por vetëm është perdorur politikisht. Që televizionet kombëtare të mbarten falas dhe pa pagesë, nga çdo rrjet apo platformë, jo vetëm është në përputhje me ligjin shqiptar, por është dhe në përputhje me direktivat evropiane në këtë fushë. Ky akt i prokurorisë është tërësisht në përputhje me interesat klienteliste të televizioneve kombëtare, që këta të fundit të mbështeten vetëm në një platformë dhe për të detyruar shqiptarët të blejnë me çmim të lartë kartën e kësaj platforme, për diçka që ligji ua njeh ta marrin falas", tha Boçi.

Recommended