Report TV - Dhuna në familje, Bregu: Problem kryesor mbetet zbatimi i kodit penal

  • 8 years ago
Dhuna në familje vijon të shënojë shifra alarmante. Pikërisht rasti i një gruaje të dhunuar, të cilës bashkëshorti i dënuar më parë i kishte marrë fëmijët duke korruptuar gjyqtarin, ishte ai që e ka bërë ambasadorin amerikan Donald Lu të interesohej me aq zell për reformën në drejtësi.

Por sipas deputetes Majlinda Bregu, propozuese të amendamenteve për ashpërsim të kodit penal për dhunën në familje, problem nuk përbën vetëm drejtësia e munguar , por dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore. Pas vendimit, sipas saj, gruaja është e pambrojtur. Pikërisht këtu ekziston boshllëku ligjor.

"Problemi kryesor është zbatimi i kodit penal. Problemi kryesor është shkurtimi i afateve për të marrë përgjigje për rastet e dhunës në familje dhe problemi më madhor është mënyra sesi reagojmë për t'ju dhënë mundësinë atyre që janë viktima të dhunës në familje për të jetuar të nesërmen e ditës që ka ndodhur dhuna që do të thotë shërbimet që ofrohen më pas, shërbimet sociale apo mundësitë për strehim të cilat pothuajse janë në nivelin zero," tha Bregu.

Gratë deputete pavarësisht forcës politike ku aderojnë kanë kërkuar nga institucionet shtetërore të bëjnë një punë më efikase në rastet e dhunës në familje, duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjykatat.

"Nuk e ndryshojnë as vetëm tryezat, nuk e ndryshojnë as vetëm studimet por e ndryshojnë në rast se i gjithë sistemi funksionon , ka përgjegjshmërinë e tij dhe asnjëri nuk shmang detyrimin që ka për të çuar drejtësinë deri në fund," shprehet Majlinda Bregu.

Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, për vitin 2015 janë në shqyrtim 382 raste të dhunës në familje. Ndër to 314 janë të reja dhe 62 janë ende pa përfunduar. 288 nga të akuzuarit për dhunë në familje janë shpallur fajtor gjatë këtij viti , ndërsa vetëm 3 kanë marrë pafajsinë. /Report TV

Recommended