Dimri dëmton sitet arkeologjike - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Stina e dimrit me reshjet dhe temperaturat e ulëta sjell probleme edhe në sitet dhe parqet arkeologjike. Me një situatë të tillë përballen edhe parqet në jug të vendit, ai  i Adrianopolit dhe i Antigonesë, ku janë evidentuar rrëzime gurësh dhe grumbullime aluvionesh në punimet e realizuara gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike. Nëse në parkun e Antigonesë punimet janë përqendruar në riparimin e rrugës kryesore dhe asaj dytësore që të çojnë drejt monumenteve të parkut, situata në parkun e Adrianopolit është disi më serioze. Teatri i Adrianopolit është nën nivelin e lumit dhe sasitë e dendura të reshjeve shpesh e përmbytin atë, duke rrëzuar fragmente muresh dhe duke depozituar  dhera të shumtë në gërmimet e realizuara më pare. Përmirësimi i motit nxit ndërhyrjen e punonjësve të parkut për të përgatitur këto site arkeologjike për sezonin e ri turistik. Qyteti  i Antigonesë dhe Teatri i Adrianopolit janë nga sitet arkeologjike më të vizituara në jug të vendit, por edhe site në të cilat gërmimet arkeologjike vijojnë pa ndërprerje prej disa vjetësh. Vetëm gjatë sezonit të kaluar, këto site arkeologjike u vizituan nga gati 10.000 turistë vendas dhe të huaj.

Recommended