Shqipëria pa ambasador në OSBE, Nishani s'firmos lirimin
  • 9 years ago
TIRANË - Në këto ditë kur marrëdhëniet mes politikës shqiptare dhe OSBE duket se kanë mëse të nevojshme shtigjet diplomatike, Shqipëria mbetet pa përfaqësues diplomatik në selinë qendrore të OSBE-së në Vjenë. Ambasadori shqiptar në OSBE Spiro Koçi ka përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar mandatin 4-vjeçar dhe prej muajsh presidenti Bujar Nishani nuk po firmos dekretin e lirimit të tij nga detyra. Nëse Nishani nuk firmos dekretin, pritet që në vend të ambasadorit Koçi të dërgohet një i ngarkuar me punë.

....
Prej rreth një viti ambasadori ynë në OSBE qëndron në krye të kësaj selie diplomatike në shkelje me ligjin. Në dhjetor të 2014-ës diplomatit Spiro Koçi i ka përfunduar mandati 4-vjeçar, por ngërçi i krijuar në Shqipëri mes Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme e ka lënë atë pezull.

Prej muajsh në tryezën e kreut të shtetit Bujar Nishani qëndron kërkesa e ministrit Ditmir Bushati për të liruar nga detyra ambasadorin shqiptar me argumentin e mbarimit të mandatit. Mungesa e një përgjigjeje nga ana e Presidentit përmes firmosjes së dekretit të lirimit, ka ?detyruar? Ministrinë e Jashtme t?i drejtohet personalisht ambasadorit Koçi duke i kërkuar atij kthimin në atdhe brenda 1 tetorit.

Burime nga ministria thanë për Shqiptarja.com se në sajë të ligjit për shërbimin diplomatik, ambasadorët që përfaqësojnë Shqipërinë jashtë vendit, të cilëve i ka mbaruar mandati rikthehen në atdhe në pritje të një detyre tjetër të cilën ministria ja cakton, e drejtë kjo që gëzon një diplomat karriere.

Të njëjtat burime thanë se në kushtet kur kreu i shtetit nuk firmos dekretin e lirimit, ende nuk është menduar për emrin e ri të ambasadorit që do të zëvendësojë Spiro Koçin.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi që ka tagër ligjor të lirojë apo të emërojë ambasadorët me propozim të Kryeministrit.

Burimet nga Ministria, thanë për Shqiptarja.com se nëse kreu i shtetit do të krijojë një tjetër ngërç me mosfirmosjen e dekretit të ambasadorit të ri, në OSBE pritet të dërgohet një i ngarkuar me punë. E njëjta procedurë u ndoq edhe në rastin e Visar Zhitit, të cilin ministrja e Jashtme e dërgoi të ?ngarkuar me punë? në Vatikan, në mungesë të ?firmës? së Nishanit.

Deri kur te merret ky vendim, apo të vijë dekreti i presidentit, Shqipëria do të mbetet pa përfaqësues diplomatik në Vjenë, këto ditë kur dialogu mes politikës shqiptare dhe OSBE duket se është thelbësor. Marrëdhëniet mes përfaqësuesve të politikës u përkeqësuan pas publikimit në media të raportit konfidencial të OSBE-së, që përmbante informacione mbi lidhjen e zyrtareve të lartë me afera korruptive.
Recommended