Arens: Të respektohet kodi zgjedhor

  • 9 years ago
Zbatimi praktik i ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor do të jetë në fokus të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve presidenciale të 13 prillit. Shefi i misionit vëzhgues Gert Arens, i cili paralajmëroi fillimin e procesit monitorues nga 11 ekspertë të fushave të ndryshme, 20 vëzhgues afatgjatë dhe mbi 300 afatshkurtër, nuk deshi të paragjykonte përmbushjen, duke thënë se vlerësimet, do t'i japë në mbyllje të procesit.

"Unë isha këtu në tetor të vitit të kaluar. I shpjeguam dhe i diskutuam rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Më vjen mirë të them se shumica e tyre janë përfshirë në Kodin zgjedhor, pjesërisht në praktikë, por mbetet të shihet si do të zbatohen këto dispozita të reja në praktike gjë që do ta vëzhgojnë gjatë misionit tonë", u shpreh Gert Arens, shef i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.

Arens tha se misioni vëzhgues do të monitorojë të gjitha proceset duke filluar nga fushata parazgjedhore, mediat, regjistrimin e kandidatëve, votuesve si dhe organet e administratës. Ndërkaq do të vlerësojë edhe problemet eventuale rreth përputhjes së zgjedhjeve presidenciale me ato të parakohshme parlamentare.

"Ne jemi në dijeni të debatit që zhvillohet në vend rreth përputhjes së ditës së zgjedhjeve parlamentare me raundin e dyte të zgjedhjeve presidenciale nëse do të nxisin ndryshime të reja ligjore, si do të zgjidhen problemet praktike me listat e votuesve, periudhës së heshtjes zgjedhore, ne do të vëzhgojmë se si do të zgjidhen këto çështje dhe nëse do të jenë në harmoni me standardet e OSBE-së", tha Gert Arens, shef i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR .

Edhe pse misioni vëzhgues i OSBE-së nuk do të mund të monitorojë në mënyrë direkte zgjedhjet në diasporë, sipas Arens, vlerësimi do të bazohet në përmbushjen e procedurave administrative dhe kornizës ligjore. Nga ana tjetër, shefi i misionit vëzhgues tha se vëmendje të veçantë do t'u kushtohet edhe listave zgjedhore, të cilat shpesh janë objekt diskutimi, për shkak të dyshimeve në opinionin rreth besueshmërisë së tyre, gjë që vjen edhe si rezultatet i mungesës së regjistrimit të popullsisë vitet e fundit. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR do të dalë me vlerësime paraprake një ditë pas ditës së zgjedhjeve, ndërkohë që raporti i plotë publikohet 8 javë më vonë. Semra Jakupi

Recommended