Catherine Ashton në Egjipt, do takohet me presidentin e ri

  • 9 years ago
KAJRO- Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, pritet të takohet me presidentin e Egjiptit, udhëheqësin e ushtrisë egjiptiane, si dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar ngjarjet që po ndodhin në këtë vend që prej heqjes nga pushteti të presidentit, Muhamed Morsi.

Agjencia shtetërore e lajmeve "MENA", duke cituar një burim diplomatik, tha se zyrtarja e lartë europiane do të takohet edhe me përfaqësuesit e Vëllazërisë Myslimane të Morsi-it, si dhe me lëvizjen "Tamarod" e cila ka organizuar protestat kundër tij.

Vizita e fundit e Baroneshës Ashton në Kajro ishte më 17 korrik, kur ajo bëri thirrje për lirimin e Morsi-t, i cili ndodhet në paraburgim.

Baronesha Ashton ndodhet në Egjipt pas një fundjave të dhunshme ku 72 persona humbën jetën gjatë një demonstrate pro Morsit të shtunën, të cilët kërkojnë lirimin dhe rikthimin e tij në pozitën e kreut të shtetit.

Situata në këtë vend ka qenë e tensionuar që kur ushtria largoi me një grusht shteti liderin islamik nga pushteti më 3 korrik.

Përpara udhëtimit të saj, Catherine Ashton ka thënë se "unë jam duke shkuar në Egjipt për të folur me të gjitha palët politike dhe për të përforcuar mesazhin tonë se në këtë proces tranzicioni, duhen të marrin pjesë të gjitha grupet, përfshirë edhe Vëllazërinë Myslimane".

Gjithashtu ajo ka përsëritur thirrjet për t'i dhënë fund dhunës në vend dhe se BE-ja është e vendosur për të ndihmuar popullin egjiptian në udhëtimin e tyre për një Egjipt të qëndrueshëm, të begatë dhe demokratik.