Eva dhe Endri Dumani 6 vite në kampin 'Al Hol'/ Nëna e daja letër Ramës: Ju lutem na ndihmoni!

  • 3 years ago
Report TV ka zbardhur letrën e familjarëve të dy fëmijëve Eva dhe Endrit Dumanit të cilët janë të bllokuar prej 6 vitesh në kampet në Siri.

Nëna, Mide Dumani dhe Xhetan Ndregjoni, daja i fëmijëve i janë drejtuar kryeministrit Rama me një letër duke i kërkuar riatdhesimin e tyre nga kampi Al-Hol.

Babai i fëmijëve i mori ata 6 vite më parë dhe u largua në Siri ku më pas ai ndërroi jetë gjatë luftimeve. Një përpjekje për të sjellë fëmijët në Shqipëri bëri dhe gjyshja e tyre, Metije Dumani e cila shkoi në kampin Al-Hol në Siri.

Por fatkeqësisht pas disa kohësh ajo ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë duke i lënë vetëm fëmijët. Daja i Endrit dhe Eva Dumanit shkruan se ka pasur kontakte nëpërmjet telefonit me ta. Gazetari i Report TV, Merin Maçi ka siguruar një prej mesazheve të Eva Dumanit që i ka dërguar dajës së saj në orën 1:10 pas mesnate.

E mitura i thotë dajës se situata në kamp është përkeqësuar por ajo së bashku me të vëllanë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu ajo i thotë se nëse shteti shqiptar do të ndërhyjë, ata do t'i lirojnë.

Në përgjigje të kërkesës së Xhetan Ndregjoni, përfaqësues nga kryeministria i kanë thënë se çështja është marrë në shqyrtim, por nuk është vetëm në dorën e qeverisë shqiptare.

"Jemi marrë me çështjen e këtyre njerëzve dhe nuk e kemi në dorë ne! Është shumë e ngatërruar me shtetet e tjera" - përgjigjet përfaqësuesi i kryeministrisë.

Gazetari i Report Tv, Merin Maçi bën me dije se aktualisht në kampet në Siri janë të bllokuar 69 shtetas shqiptarë, 51 prej të cilëve janë fëmijë.

Recommended