‘Lumë’ parash jashtë bankave! BSH: Në korrik niveli i parasë cash arriti në 324,5 miliardë lekë

  • 3 years ago
As pandemia apo nevoja për distancim social, dhe as nismat e bankave për t?ju ofruar klientëve shërbimet online, nuk po e ndalon dot qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në Korrik ne këtë mënyrë kanë qarkulluar 324,5 miliard lekë, ose 7.3 miliardë lekë më shumë se në muajin qershor po të këtij viti. Po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë vërehet një rritje me rreth 40.9 miliard lekë më shumë. Kjo gjë filloi ne muajin janar por kriza që po shkakton virusi e ka rritur edhe më tepër, pasi individë e biznese zgjedhin të kryejnë shërbimet kryesisht me para në dorë.

Për ekspertët përdorimi i parasë jashtë sistemit bankar është tregues i informalitetit të lartë në një ekonomi, Vetëm në vitin 2019 sipas Ministrisë së Financave nga inspektimet nëpër biznese shkalla e informalitetit rezultoi 40%.

Po ashtu mbajtja e parave jashtë bankave është edhe një zgjidhje nga biznesi për të mos paguar taksa, apo për të mos deklaruar burimin kur ato janë fituar në rrugë jo të ligjshme.

Situata pritet të përmirësohet me implementimin e fiskalizimit ose faturimi online, si dhe me amnistinë fiskale e penale, ku synohet futja në banka e parave pa qenë nevoja të justifikohet burimi.