Ndërron jetë mjeku i dytë me COVID-19 në Shqipëri! U infektua nga kolegia që kishte shkuar në QSUT
  • 4 years ago
TIRANË- COVID- 19 merr një tjetër jetë nga bluzat e bardha. Mjeku Hysni Shkjau ka humbur betejën me koronavirusin, pas disa ditësh "luftë" në spitalin Infektiv ku ishte i shtruar. 69-vjeçari, me 40 vite eksperiencë si mjek, pati vështirësi në frymëmarrje dhe sipas ministrisë së shëndetësisë vuante dhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Report Tv mëson se Shkjau u infektua nga kolegia e tij, e cila kishte ardhur në Tiranë në QSUT për të bërë një konsultë, por që u infektua. 

Shkjau ishte specialist pneumolog, por pasi doli në pension punonte si mjek familje. Së fundmi, ai punonte në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës dhe ishte në krye të detyrës, deri ditën që u infektua nga COVID-19. 

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

 Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij", njofton Ministria e Shëndetësisë.
Recommended