Merret në pyetje pajtuesi i gjaqeve: Hetuesi më pyeti ku ndodhet kufoma e Prengës, më pas pimë kafe

  • 4 years ago
TIRANE-Pajtuesi i gjaqeve Nikoll Shullani është marrë në pyetje dje nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Pas dy refuzimeve që u ka bërë fletëthirrjeve me argumentin se është sëmurë, ai është shoqëruar forcërisht për t'u pyetur në lidhje me dosjen e vrasjes së Jan Prengës.

Por Shullani në një prononcim për mediat, mohoi se është marrë me forcë. Ai u shpreh se ka qenë sëmurë dhe madje, prokurori i ka gjetur makinën për ta sjellë në Tiranë për ta marrë në pyetje. Ai tregoi se prokurori e kishte pyetur nëse e dinte se ku ndodhej trupi i Jan Prengës. Shullazni tha se hetuesve u tha se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë. Pas dëshmisë, Shullazni tha se pinë edhe kafe me prokurorin.

Unë me forcë nuk jam marrë, ai që e ka thënë këtë ka gënjyer dhe pastë faqen e zezë. Jam marrë vesh me hetuesin, dje në orën 10:00 më kërkoi të paraqitesha dhe shkova. Dëshmova për cështjen Prenga sa dika. Madje edhe makinën ma gjeti hetuesi se isha i sëmurë. M'u kërkua që të shpjegoj për familjet. Hetuesi më pyeti me cilin ke qenë, kur ke qenë, cfarë të kanë thënë, cfarë u ke thënë.

Asnjë gjë më tepër sesa kam thënë në media. Më ka bërë një pyetje, kur më tha; ku është kufoma? I thashë po ta di, të marr ty dhe shkojmë e gjejmë bashkë. I thashë nuk e di ku është kufoma. Ai më tha ty të besojnë njerëzit, a e di ku është kufoma? Në pyetje qëndrova një orë dhe dolëm bashkë me hetuesin dhe pimë kafe. Dëshminë e thash në drejtorinë e policisë së Tiranës. Më tha hetuesi e kreve me kaq" tha ai.

Recommended