Report TV - Protesta e maturantëve, reagon KOMSH: Do të rishihet mënyra e shpërndarjes së notave

  • 4 years ago
TIRANE-Në ditën e tretë të protestës së maturantëve, Komiteti i maturës shtetërore pranë Ministrisë së Arsimit deklaroi se do të rishihet mënyra e shpërndarjes së notave sipas pikëve të marra nga maturantët në test, për të shmangur shqetësimin e maturantëve mbi notat e tyre, gjë që ka efekt të njëjtë për të gjithë ata.

"Komiteti i Maturës Shtetërore 2020 (KOMSH), që në ditën e parë pas provimit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve dhe të mësuesve të tyre, si dhe kërkesat adresuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke synuar mundësitë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e Maturës Shtetërore.

Në komunikim me mësues të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është gjykuar që të rishihet mënyra e shpërndarjes së notave sipas pikëve të marra nga maturantët në test, për të shmangur shqetësimin e maturantëve mbi notat e tyre, gjë që ka efekt të njëjtë për të gjithë ata. Kjo do të bëhet vetëm pasi të kemi rezultatin e pikëve të marra nga maturantët.

QSHA do të publikojë që sot testin e plotë dhe për çdo pyetje përgjigjen e saktë, në mënyrë që çdo maturant duke u konsultuar me to, të mund të bëjë një vetëvlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në test.

Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë dhe variantin që kanë pasur në provim me alternativën e saktë.

Recommended