Nis regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut, Lame: Përfitojnë 8 mijë banorë, do t'i monitorojmë
  • 4 years ago
Nga dita e sotme ka nisur regjistrimi i pronave në 8 zona të bregdetit të jugut. Lajmin e ka dhënë Kreu i Kadastrës, Artan Lame, i cili në një konferencë për mediat tha se nga ky proces do të përfitojnë 8 mijë banorë.

"Fillon procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin  e jugut. Është një operacion i madh kadastral. Ky  proces do të trajtojë 16500 prona private. Procesi do të trajtojë edhe 5200 prona shtetërore. Nga ky proces do të përfitojnë 8 mijë banorë", u shpreh kreu i Kadastrës.

Lame tha se ky proces ka nisur disa herë, por është braktisur. Ndërsa i premtoi banorëve se shteti këtë herë do ta çojë deri në fund. Ai tha se procesi do të monitorohet nga ekspertët e drejtorisë së Kadastrës në Tiranë.

"I premtoj banorëve se shteti shqiptar do të çojë deri në fund këtë proces. Regjistrimi do të monitorohet nga ekspertët të dërguar nga Tirana. Jemi ndeshur me shumë probleme  apo manipulim dokumentacioni, por edhe me dëshirën e banorëve për t'i dhënë fund këtij kalvari. Nga banorët kërkoj dy gjëra: besim dhe bashkëpunim", tha Lame.

Artan Lame bëri të ditur se procesi do të zgjasë disa muaj, ndërsa do të krijohet edhe mundësia për investime.
Recommended