Debatet në parlament abuzimin e 15-vjeçares/ Shahini: Të gjitha vajzat janë ngacmuar minimumi 1 herë
  • 4 years ago
TIRANË- Përdhunimi i 15-vjeçares ka qenë në fokus të seancës së sotme parlamentare, ku ka qenë ministrja e Arsimit, Besa Shahini e cila ka sjellë në vëmendje masat e marra lidhur me këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik. Për ministren, institucionet kanë reaguar, edhe pse e sheh si një "pikë në oqean" këtë ndërhyrje, me argumentin se duhet ndryshuar e gjithë shoqëria. "Më gjeni një grua që nuk është ngacmuar seksualisht në rrugë në punë apo në shkollë, me qëllim t'i ofenduar", tha mes të tjerave Shahini duke thënë se është problem shoqërisë patriarkale.

Ajo e konsideron të vështirë identifikimin e këtyre rasteve pasi pjesa më e madhe e tyre bëhen nga persona shumë të afërt si babai, vëllai apo kushëriri, e megjithatë duke folur me shifra, ajo tha se pjesa më e madhe e këtyre rasteve janë zbuluar nga mësuesit apo psikologët.

Ndalur këtu, Shahini sqaroi se do të dyfishohet numri i psikologëve në shkolla, e ndërsa ka pasur edhe akuza për OJF-të që financohen nga shteti. Këta të fundit, ministrja tha se kanë dijeni për shumë raste abuzimi, por nuk i kanë referuar në organet e drejtësisë për motive të ndryshme. Nga ana tjetër, akuza ka pasur edhe për AMA-n, e cila tha se nuk ka marrë masat e duhura për mediat që kanë publikuar detaje "monstruoze" për rastin e 15-vjeçares duke çuar deri në identifikimin e saj.

Ndërkohë, më herët deputeti Halit Valteri propozoi rikthimin e dënimit me vdekje, duke thënë që pedofilët të varen në mes të qytetit, por disa minuta më pas është tërhequr. "Më doli nga shpirti, se ndoshta nuk bëhet. Hajde t'i dënojmë për jetë, të ndryshojmë kodin Penal, ne duhet ta parandalojmë", tha Valteri.

Në seancën e sotme parlamentare, e cila vijon të mbahen në një protokoll sigurie, për shkak të situatës së COVID-19, do të jetë edhe projektligji për "Eurobondin". Ky projektligj solli përplasje mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ky i fundit i kërkoi kreut të shtetit që të dekretonte menjëherë ligjin për marrjen e eurobondit, por ai e refuzoi me argumentin se "nuk është emergjencë".
Recommended