Vetëm 2 raste të reja me COVID, numri më i ulët nga fillimi i pandemisë,77% e të prekurve të shëruar
  • 4 years ago
Sot numri më i ulët ditor i të prekurve që nga fillimi i epidemisë

 Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri.

Në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital.

Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë.

Janë testuar 168 qytetarë si të dyshuar si të prekur me Covid19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës. Të shëruar janë 12 qytetarë.

Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetëizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienes personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend.

Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Recommended