I sekuestrohen 1.2 mln litra naftë Lul Berishës, OFL: Vijoi punën me shantazh, i ishte hequr licenca

  • 4 years ago
TIRANE-Operacioni Forca e Ligjit i sekuestruar mbrëmjen e djeshme 1.2 milion litra naftë  dhe një magazinë doganore në Durrës në pronësi të Lulzim Berishës dhe një tjetër personi me inicialet E. SH. Por përse u bllokuan?

Sipas OFL-së, ky subjekt, pavarësisht se i ishte hequr licenca më datë 13.02.2019 për furnizimin me karburant të anijeve të peshkimit në porte ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.

OFL-ja thekson se pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me strukturat e specializuara të hetimit financiar hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.

"OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre" mbyllet deklarata.

Recommended