10 naftëtarët e Ballshit në ditën e dytë të grevës: Flemë mbi 'florinj', por jemi pa bukë!
  • 4 years ago
BALLSH-Ka hyrë në ditën e dytë greva e urisë së 10 naftëtarëve nga 870 punëtorë që ka në total uzina e rafinerisë. Kërkesa e tyre është paga e 5 muajve që nuk kanë marrë nga kompanitë 'Bylys dhe Tosk Energji", ndërsa në total, u shpreh njëri prej naftëtarëve, nuk kanë marrë 24 paga. Alban Muça, njëri nga naftëtarët, që tha se ka 20 vite që punon në rafineri i kërkon qeverisë që të mos sjellë firma fantazmë në Mallkastër.

"Ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në uzinën e Ballshit. Me këtë firmë kemi 5 muaj që nuk kemi marrë pagat. Në total shkojnë 24 paga pa marrë edhe nga firmat e tjera. Ne jemi 10 punonjës që përfaqësojmë familjet tona dhe 870 punëtorëve për të drejtat tona dhe kërkojmë bukën tonë. Na pinë gjakun dhe po na hedhin në rrugë. Kryeministrit dhe 16 deputetëve të Fierit u bën thirrje. Jam babai i dy vajzave dhe një djali.Gjendja shëndetësore e grevistëve nuk është e keqe, por shokët i kemi të sëmurë. Pa u plotësuar kushtet e naftëtarëve ne nuk lëshojmë grevën, vetëm të vdekur ikim këtej. Ata janë thjeshtë mashtruesa, të paguajnë sigurimet dhe të lënë me një pagë 230 mijë lekë...Shteti është si babai që mbledh fëmijët në darkë, shteti të gjejë dhe të na japë bukën e gojës. Nuk kam lekë që të paguaj çerdhen, fëmijët dhe të ushqehem. Mallakastriotët po flenë mbi florinj dhe të jemi në këtë gjendje. Mos sillni firma fantazma në Mallakastër, nuk jemi pula që të na fusni në kotec" tha ai.

Mbi kokat e tyre në ambientin që po zhvillojnë grevën, naftëtarët kanë vendosur disa pankarta me mbishkrime duke i kërkuar ndihmë qeverisë, kryetarit të Kuvendit dhe prokurorit të përgjithshëm. "Zoti Kryeministër kërkojmë pagat tona, jo lëmoshë", "Zoti Rama na punëso, mos na dëbo, "Zoti Kryeministër nuk jemi shqiptarë që rrimë kafeneve por jemi shqiptarë që kërkojmë punë", 'Deputetë të qarkut na mbron nga hajdutët", "Znj Balluku na lejo të rrisim dhe arsimojmë fëmijët tanë këtu", "Zoti Ruçi ju mund ti jepni zgjidhje", "Zoti prokuror i përgjithshëm shpenzo një orë nga dita jote e punës për Uzinën e Ballshit".
Recommended