Krijohet Aleanca për Media Etike, 19 'firmëtarë' STOP piraterisë dhe joprofesionalizmit

  • 4 years ago
TIRANE - Nëntëmbëdhjetë media shqiptare krijuan këtë të mërkurë Aleancën për Media Etike, qëllimi i të cilës është luftimi i piraterisë, informacioni korrekt, etik dhe profesional përmes formulës së vetërregullimit.

Me iniciativë të Këshillit të Medias, mbështetur nga Bashkimi Evropian, UNESCO, Këshilli i Europës dhe ambasada holandeze në vendin tonë, kjo aleancë do të zgjedhë një bord etik me përfaqësi të mediave pjesë të aleancës, jurist, përfaqësues nga Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe vetë Këshillit të Medias.

Çdo media online dhe audio-vizive do të identifikohet me një logo që tregon 'certifikimin' nga Aleanca për Media Etike. Të gjithë qytetarët që pretendojnë se janë sulmuar në shkrime të botuara nga 19 mediat e Alencës, apo se ka përmbajtje që cenojnë etikën kanë mundësinë për të adresuar shqetësimin e tyre. Ankesat do të merren në shqyrtim nga redaksitë përkatëse, e nëse do të jetë e nevojshme do të kalojnë në 'gjykimin' e Bordit të Etikës ku vendimi duhet të merret me 3/5. Megjithatë, kreu i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali, tha se në çdo rast të pazgjidhur mes ankuesve dhe Bordit, fjalën e fundit do ta thotë gjykata.

19 media, mes të cilave edhe Shqiptarja.com dhe Report Tv, dakordësohen për të respektuar të drejtën e autorit, përmes nenit 80 ligji 35/2016 sipas të cilit, shkrimet nuk mund të riprodhohen pa autorizimin e autorit.

I pranishëm në prezantimin e kësaj aleance, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se përmes vetërregullimit, gazetarët do të shkojnë drejt profesionalizmit, besueshmërisë dhe lirisë së fjalët. Kjo aleancë sipas kryediplomatit është në kohën e duhur, duke iu referuar edhe faktit që debati për nismën ligjore të qeverisë është ende i hapur, përsakohë paketa-antishpifje pret opinionin e Komisionit të Venecias me shpresën për të reflektuar rekomandimet e Këshillit të Europës, siç ai u shpreh.

Recommended