Report TV - 31 të arrestuar për demët nga tërmeti, prokuroria publikon të dhënat e hetimit
  • 4 years ago
TIRANË - 31 persona janë arrestuar të martën dhe ditën e sotme pasi dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me ndërtimet të cilat pësuan dëmtime serioze nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë. Po kështu 7 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 2 janë proceduar në gjendje të lirë.

I fundit i arrestuar është ndërtuesi, Fejzo Dyrmishi i cili u ndalua këtë të enjte. Ndërkohë 6 prej personave të shpallur në kërkim, nga informacionet në sistemin TIMS rezulton që të jenë jashtë vendit.Një ditë më parë Prokuroria firmosi 38 urdhër ndalime për ish-zyrtarë vendorë, inspektorë ndërtimi, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues në disa komuna të Tiranës, Farkë, Kashar dhe bashkinë Vorë, dhe 27 prej të cilave u ekzekutuan nga Policia e Tiranës pasditen e djeshme dhe sot.

Mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta, dhe Adhurim Qehahaj, ish-shef i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Ata dyshohen të kenë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara, për ndërtime të një cilësie të dobët, duke ndërhyrë në strukturë me hollimin e bazamenteve mbajtëse të tyre.

Nga hetimet rezulton se 140 objekte nuk kanë dosje projektimi sizmik kur janë ndërtuar. Ndërkohë edhe materialet e ndërtimit sipas prokurorisë nuk janë shoqëruar me certifikatë teknike sipas standardeve. Në dosje thuhet se hetimet pas Farkës, Kasharit e Vorës janë shtrirë edhe në zonën e Freskut dhe në Kamëz.
Recommended