Report TV -Zhduket pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh atleti i njohur shkodran
  • 4 years ago
TIRANE - Atleti shqiptar pas gjestit të të cilit "lëvizi" qeveria e Malit të Zi duke miratuar ligjin për simbolet kombëtare, e që i hapi rrugë përdorimit të flamurit shqiptar lirshëm, është zhdukur pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh. Irfan Domnori prej datës 26 dhjetor nuk ka asnjë kontakt me familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa në banesën e tij në Shkodër nuk ndodhet as biçikleta me të cilën ai udhëton. Djali i tij ka bërë denoncimin në Policinë e Shkodrës më 29 dhjetor, ndërsa ditën e enjte, më 2 janar, do të jetë së bashku me avokatin për të marrë përgjigje zyrtare nga blutë e qytetit të Shkodrës për fatin e babait të tij. Jo zyrtarisht nga një punonjës i policisë djalit i është thënë se Irfan Domnori ndodhet në burg në Mal të Zi, por nga një telefonatë që ai ka bërë me një mikun e tij efektiv policie në kufi, sërish komunikim jo zyrtar, i është thënë se dalja e fundit nga Hani i Hotit ose Muriqani është 16 nëntori.

Të gjitha këto detaje, së bashku me thirrjen për të kërkuar të vërtetën, i bën të ditur ekskluzivisht për Shqiptarja.com Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit, që i bashkon një shoqatë atdhetare. Në nëntor, Irfani u dënua me 300 euro gjobë nga autoritetet malazeze dhe u dëbua për një muaj nga Mali i Zi pasi ngriti flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në Krajë, gjest që solli edhe miratimin e ligjit në Kuvendin malazez. Në një komunikim me Shqiptarja.com, Elida Jorgoni, thotë se e ka takuar për herë të fundit Irfanin më 26 dhjetor në Shkodër. Aty Irfani i ka shprehur dëshirën e tij për të qenë në Ulqin për një ekspozitë, por se kishte frikë të udhëtonte me biçikletë nga rreziku i ndonjë aksidenti në rrugë. Nga ai moment e deri më sot, telefoni i tij rezulton i fikur. Siç tregon Elida Jorgoni, Irfan Domnori nuk kishte bërë asnjë njoftim në punë për mungesa.
Recommended