Report TV -18 paditë e para të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor për shfuqizime ligjesh
  • 4 years ago
Gjykata Kushtetuese, gjatë muajit dhjetor të 2019, ka vendosur të rrëzojë që në seancat paraprake 18 padi për shfuqizime vendimesh dhe ligjesh. Shumica e kërkesave të rrëzuara u përkasin individëve, të cilët kërkonin shfuqizimin e disa vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të Apelit për çështje administrative dhe penale. Por, mes 18 padive të rrëzuara, është edhe një kërkesë e Avokaturës së Përgjithshme e Shtetit për shfuqizimin e një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, e cila ka vendosur kthimin dhe vijimin e gjykimit në gjykatat më të ulëta të një çështje pronësie. Po ashtu, Kushtetuesja ka rrëzuar edhe një kërkesë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila kërkonte shfuqizimin e nenit 450/1, shkronja ?e?, të Kodit të Procedurës Penale. Shkronja ?e? nenit 450/1 parashikon rishikimin automatik të çështjes së gjykuar në mungesë. Krimet e rënda kanë pretenduar se duhen diferencuar rastet e zhvillimit të gjykimit në mungesë pa dijeninë e të pandehurit, me rastet e gjykimit në mungesë me dijeninë e të pandehurit, i cili rezulton se i shmanget procedimit. Gjithsesi, Kushtetuesja nuk ka pranuar ta kalojë këtë padi për shqyrtim në seancë plenare. Pjesë e turpit gjykues për këtë çështje rezulton edhe Marsida Xhaferllari, e cila nuk njihet nga Kuvendi dhe mazhoranca si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Xhaferllari ka marrë pjesë edhe në rrëzimin e një tjetër padie të bërë nga një bankë e nivelit të dytë për shfuqizimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Nga data 16 korrik 2018 deri në muajin dhjetor, Kushtetuesja nuk kishte kuorumin e nevojshëm ligjor për formimin e trupave gjykuese për shqyrtimin paraprak të çështjeve, pasi të gjithë anëtarët e saj, me përjashtim të Vitore Tushën, ose u shkarkuan nga Vetingu ose u vetëlarguan nga frika e Vetingut. Me zgjedhjen e anëtareve Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, Kushtetuesja arriti të formonte kuorumin për seleksionimin e çështjeve. Sipas ligjit, seleksionimi i çështjeve në seancat paraprake nëse duhet apo të kalojnë për gjykim seancë plenare bëhet me kolegje nga tre anëtarë. Ndërkaq, gjykimi në seancë plenare bëhet me kolegje me jo më pak se 6 anëtarë.
Recommended