Report TV - Familjet e prekura nga tërmeti në Lezhë, PD: Të përjashtohen nga taksat vendore

  • 4 years ago
Dega e Partisë Demokratike në Lezhë i ka kërkuar Bashkisë përjashtimin nga pagesa e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për të një periudhe të pacaktuar, për të gjitha familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në një deklaratë për mediat sekretarja e PD-së në Lezhë Alfrida Marku tha se është e nevojshme edhe përgjysmimi i faturave të energjisë elektrike për këto familje si dhe punësimi i të paktën 1 anëtari të çdo familje.

Në kuadër të të gjitha masave që duhet të merren për rikuperimin e të gjitha pasojave që ka sjellë tërmeti, ne u propozojmë strukturave vendimmarrëse dhe ekzekutive të Bashkisë Lezhë, përjashtimin e të të gjitha taksave vendore të familjeve të prekura nga tërmeti për një periudhë të pacaktuar, deri në një zgjidhje të çështjes së strehimit për këto familje.

Kur themi taksa vendore, ne nënkuptojmë përjashtimin nga taksa e ndërtesës, nga taksa për tokat bujqësore, nga tarifat për shërbimet publike, pastrimi, gjelbërimi. Po ashtu, përjashtimin nga tarifa për kopshtet dhe çerdhet si dhe nga tarifa për ujin e pijshëm. Një masë e arsyeshme do të ishte edhe përgjysmimi i faturës së energjisë elektrike, ku Bashkia Lezhë duhet të ndërhyjë me mbulimin e 50% të kësaj fature, për çdo familje të prekur nga tërmeti. U propozojmë të gjitha institucioneve shtetërore, u propozojmë punëmarrësve privatë në Lezhë që të kenë prioritet punësimin e të paktën një personi në çdo familje të prekur nga tërmeti, duke pasur parasysh arsimin e tyre.?, -tha Afrida Marku, sekretare e PD-se Lezhë.

Në bashkinë e Lezhës janë më shumë se 350 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit për të cilet ende nuk dihet e ardhmja e tyre.

Recommended