Rama: Mësues për fëmijët në hotele, i paguajmë karburantit të gjithë atyre që shkojnë në punë
  • 4 years ago
Duke marrë parasysh situatën e rënduar edhe psikologjike që vijon pas tërmetit të së martës, kryeministri Edi Rama tha se u duhet garantuar të gjithë të prekurve nga tërmeti që këto ditë t'i kalojnë me të gjitha shërbimet e nevojshme. Rama tha se të gjitha ilaçet për personat me sëmundje kronike do të paguhen nga shteti. "Askush nga ata nuk do paguajë ilaç, me emra dhe në çdo dhomë, edhe me garancinë që për çdo gjë që kanë nevojë nga pikëpamja shëndetësore ne jemi në dispozicion", tha Rama.

Në çdo hotel ku janë duke u akomoduar të dëmtuarit, kryeministri Rama tha se do të ketë mësues ndihmës për fëmijët. Ndërkohë që të gjithë personave që u duhet të shkojnë në punë në qytetet e tyre larg hoteleve ku janë duke qëndruar nga shteti, do t'u paguhet karburanti për lëvizjet me makinë.

"Çdo ministër do të marrë në patronazh nga një zonë ku po strehohen, si një kujdestar konvikti me një ekip për të garantuar mbarëvajtjen e çdo gjëje. Do u paguajmë rrugën për të shkuar në punë", tha Rama
Recommended