Prokuroria, shkresë KQZ-së: Kajmaku, subjekt i dekriminalizimit

  • 5 years ago
PD: U vërtetuan akuzat e opozitës, Rama e mbrojti

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht Komisionin Qendror të zgjedhjeve se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në përfundim të verifikimit për figurën e tij, organi i akuzës i ka vënë në dispozicion KQZ-së materialin e plotë që i jep mundësinë këtij organi të nisë procedurën për ndërprerjen e mandatit të Kajmakut.

Në dokumentin 7 faqesh të hartuar nga prokurori Arben Kraja, kryebashkiaku i Vorës rezulton të jetë i njëjti person me Jorgo Toton, i arrestuar në Greqi për falsifikim parash dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar deri në shtator të 2019-ës nga autoritet fqinje.

Organi i akuzës erdhi në këtë përfundim pas mbërritjes së letërporosive nga Greqia. Sipas këtij dokumenti dhe informacionit të marrë nga Interpol Athinë provohet se gjurmët e gishtërinjve të Kajmakut janë të njëjta me ato të Jorgo Totos.

Në formularin e dekriminalizimit, kryebashkiaku i Vorës kishte deklaruar ndërrimin e gjeneraliteteve nga Agim Kajmaku në Jorgo Toto, por kishte mohuar të ishte ndaluar apo gjykuar jashtë vendit. Por Prokuroria thotë se nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim. Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij.

Më herët Partia Demokratike deklaroi se akuzat e saj për Kajmakun u vërtetuan dhe po ashtu mbrojtja që kryeministri Rama i bëri kryebashkiakut të Vorës.

Teksa Prokuroria njoftoi zyrtarisht KQZ-në për përfundimin e verifikimit të figurës së Kajmakut, kryebashkiaku i Vorës i vuri në dispozicion organit të akuzës një dokument të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda të Janinës, që thotë se autoritet e drejtësisë në shtetin fqinj e kanë shpallur atë të pafajshëm me emrin Jorgo Toto.

Gjithashtu Kajmaku shpjegon se nuk ka qenë në dijeni të faktit se ndaj tij kishte nisur një hetim nga autoritete greke, pasi procesi ishte zhvilluar në mungesë, arsye kjo që ai nuk e kishte shënuar këtë fakt në formularin e dekriminalzimit. Po ashtu Kajmaku sqaron se nuk ishte në dijeni të faktit se mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit ia ndalonte atij që të kandidonte dhe më pas të zgjidhej si kryebashkiak.

Tv Klan