Djali i ish-prefektit te Shkodres arrestohet ne Paraguai
  • 5 years ago
Elton Radovani, djali ish-Prefektit të Shkodrës, ka përfunduar në prangat e policisë në Paraguai. 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e grupi kriminal që merrej me fajde.
Elton Radovani u arrestua më 3 Tetor, në një autostradë në Paraguai dhe lajmi bëhet i ditur nga autoritetet policore atje. Ai pritet që të ekstradohet drejt vendit tonë.
Në Mars të këtij vitit, një operacion i Policisë së Shkodrës çoi në arrestimin e 12 personave, si të përfshirë në një skemë fajdesh përmes dhënies së huasë jashtë sistemit bankar. Përmes kësaj skeme ata dyshohet se kishin përfituar pasuri të paluajtshme dhe automjete, të cilat i kanë kaluar në pronësi të tyre.
Pjesë e këtij grupi ishin edhe dy djemtë e ish-Prefektit Paulin Radovani, Elton dhe Berti Radovani, të cilët arritën të largoheshin dhe u shpallën në kërkim ndërkombëtar. Për ta gjykata ka caktuar arrest me burg.
Ishte babai i tyre, i cili tregoi në polici emrat e personave të cilët kërcënonin atë dhe bashkëshorten për borxhet që kishin dy djemtë e tij.
Të gjithë të prangosurit treguan në polici se i kanë dhënë borxh djemve të ish-prefektit shuma të konsiderueshme ndërkohë policia vuri në mbrojtje Paulin Radovanin. Mendohet se borxhi i djemve të tij është mbi 10 milionë euro.
Recommended