Report TV - Austria: BE të hapë negociatat! Cakaj: S'kemi frikë nga vota kundër
  • 5 years ago
TIRANE-Austria ka akorduar 200 mijë euro ndihmë për Shqipërinë për të prekurit nga tërmeti që goditi vendin tonë në datë 21 shtator. Lajmin e dha ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm Gent Cakaj në Tiranë.  "Dua të shpreh ndjenjat thella për të prekurit nga tërmeti. Austria do të japë 200 mijë euro ndihmë dhe po shohim kërkesa të tjera që ka bërë kryetari i bashkisë së Tiranës. Por Austria do i ndihmojë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri" tha ai.

I pyetur për cështjen e negociatave, Schallenberg theksoi se ende vendet e BE-së nuk kanë një vendim unanim, por kërkoi nga Bashkimi Europian që të mbajë fjalën dhe të hapë negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë. "Javën tjetër do të kemi vendimin e këshillit, ne duam të hapet drita e gjelbër për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne besojmë se kjo ka të bëjë me kredibilitetin e tij, kushtet janë plotësuar, tani duhet të bëjmë atë që na takon ne. Ne jemi përpara diskutimeve të vështira, nuk ka ende unanimitet, por miqtë tanë shqiptarë mund të mbështeten te ne" tha ai.  Por a e shqetëson Austrinë fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë? "Situata e azilkërkuesve vijon, por e prek më pak Austrinë se vendet e tjera, është një tipar që e kemi diskutuar me homologët francezë" tha ai.  

Por cfarë po bën Shqipërina për të bindur dy vendet skeptike, Francën dhe Holandën në ditët e fundit që kanë mbetur dhe a i trembet një vote kundër? "Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar votat pro" u përgjigj prerë Gent Cakaj.  Për Cakajn Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. "Diskutuam për mbështetjen që Austria do i japë Shqipërisë për negociatat, por edhe për të përballuar presionin dhe sfidat që vijnë nga ky proces. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave. Vettingu vijon me sukses, por edhe ngritja e trupave të reja të gjyqësorit, por edhe përmirësimi i historikut kundër krimit, prandaj meritojmë hapjen e negociatave".

Gjatë konferencës, Cakaj tha se Tirana zyrtare po pret nisjen e bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës. "Nuk më takon të shqetësohem dhe të komentoj. Ajo që ndodhi në Kosovë meriton dy komente, e para i dha shembull rajonit si organizohen zgjedhjet dhe me cfarë standardi të lartë ndodh ndryshimi i pushtetit dhe se ka një elektoral të pjekur dhe përgjegjshëm. Ne mezi po presim të fillojmë bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Kosova është realitet e njohin apo jo disa shtete".
Recommended