Report TV - Policia në aksin Elbasan-Peqin ku humbën jetën 4 gra, 11 heqje patente në 30 minuta
  • 5 years ago
Një ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 4 gra të një familje dhe u plagosën 3 shoferë automjetesh, policia e Elbasanit ka 'blinduar' aksin nacional Elbasan-Peqin, në fshatin Papër, ku ndodhi ngjarja e rëndë pasi shihet si një 'pikë e zezë' për aksidente.

Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja, bën me dije se në vetëm 30 minuta punë të Policisë në këtë aks janë hequr 11 patenta dhe janë vendosur disa gjoba. Policia e pajisur me radarë ka bërë kontrolle të rrepta ku shumica e shkeljeve nga shoferët ka qenë parakalimi i gabuar në kthesë.

Edhe pse kjo rrugë është e pajisur me sinjalistikën e nevojshme pakujdesia e shoferëve bëhet shkak për aksidente deri me pasojë vdekjen. Jo më larg se dje, në këtë vend tre makina u përplasën, ku në njërën prej tyre ishin 4 gra dhe një burrë të gjithë kishin lidhje gjaku me njëri tjetrin. Të 4 gratë që humbën jetën në aksin nacional Elbasan-Peqin, në fshatin Papër,raportohet se nuk kanë patur rrip sigurimi. Ndërsa shoferi i cili është vënë në pranga ka shpëtuar nga rripi i sigurimit që e kishte vendosur.
Recommended