Report TV -Raporti i KLGJ: Drejtësia e re në rrezik nga ndërhyrjet e politikës
  • 5 years ago
Klasa politike vijon të mbetet kërcënimi numër një për drejtësinë e re, e cila po merr formë tre vite pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, ku u projektua edhe arkitektura e saj. Ky është konkluzioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor në një plan strategjik për sistemin gjyqësor 2019-2020. Në planin strategjik, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka identifikuar 10 kërcënime që i kanosen drejtësisë së re, bazuar në një sërë të dhënash dhe treguesish. Edhe pse ndryshimet Kushtetuese në 2016 dhe ligjet e miratuara më pas kanë zbehur në maksimum influencat e politikës mbi gjyqësor, KLGJ rendin ndërhyrjet politike në krye të listës së 10 rreziqeve për drejtësinë e re.

Në vendin e dytë listohet perceptimi negativ dhe mosbesimi i madh i publikut tek drejtësia, për shkak të korrupsionit të drejtësisë së vjetër që po shembet. Vakancat në gjyqësor për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut si dhe mungesa e prurjeve të reja të gjyqtarëve përfshihen gjithashtu në listën e 10 kërcënimeve. Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor rendit si kërcënime të tjera buxhetin e pamjaftueshëm, mungesën e harmonizimit në legjislacion, vakuumet ligjore dhe institucionale, mungesën e motivimit nga ana e personelit, mungesën e ambiente të punës dhe infrastrukturës si dhe ndryshimet e shumta në legjislacion.
Recommended