Haradinaj anulon viziten ne Prage
  • 5 years ago
Vendimi pasi Presidenti çek deklaroi rishikim të njohjes së Kosovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj nuk do të marrë pjesë në samitin e Pragës. Në këtë Samit marrin pjesë katër shtete të Vishengradit dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Haradinaj, anulimin për pjesëmarrje në këtë samit e ka arsyetuar me procesin zgjedhor në Kosovë.

?Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit. Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeminstrit të Çekisë, Andrej Babis, për ftesën për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lart përkushtimin e Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues?, shkruajti Haradinaj.

Të mërkurën, agjencia çeke e lajmeve, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike shkruajti se refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e së enjtes, vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Presidentit çek Milosh Zeman.

Ky i fundit, javën e shkuar deklaroi se dëshiron të diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Të njëjtën deklaratë Zeman e përsëriti edhe të mërkurën gjatë qëndrimit në Beograd, ku tha se brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

Tv Klan
Recommended