Report TV -Tre ceremoni për 21 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, Rudina lule tek varri i të atit
  • 5 years ago
Me rastin e 21-vjetorit të vrasjes së themeluesit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit, politika shqiptare ka kryer homazhe në nder të tij, tek monumenti ku u vra dhe tek varri ku prehet pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari u vra më 12 shtator të vitit 1998, në Tiranë pranë ish-selisë së Partisë Demokratike. Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës.

Homazhe tek varri ku prehet Azem Hajdari tek Varrezat e Dëshmorëve, në nder të tij ka mbajtur Kuvendi i Shqipërisë me në krye nëkryetaren Vasilika Hysi. Po ashtu pjesmarrë ishin përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare. E para që ka vendosur lule tek varri i Azem Hajdarit ka qenë e bija e tij, deputetja Rudina Hajdari. Deputetja ka deklaruar se në këto vite tranzicion nuk janë arritur shumë gjëra dhe se kriza vijon për shkak të paqëndrueshmërisë politike në vend.

Ndërkohë homazhe ka patur edhe tek memoriali ku u vra Azem Hajdari, pranë ish-selisë blu. Tek momoriali kanë kryer homazhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike se bashku me familjarët e Azem Hajdarit. Lideri i opozitës, Lulzim Basha pasi ka kryer homazhe tek varri i Hajdarit ka mbajtur edhe një fjalim për mediat. Basha ka thënë se amaneti dhe sakrifica e Hajdarit janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

"Ka ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë" ka thënë Basha ndër të tjera.
Recommended