Vetevrasjet 3 here me shume se vrasjet

  • 5 years ago
Vetëvrasjet në Shqipëri shkaktojnë tri herë më shumë viktima se sa vrasjet. Sipas të dhënave të Institutit të e Statistikave, 1% e vdekjeve në vend vijnë nga vetëvrasjet, ndërsa vrasjet janë në nivelin 0.3%.

Në ditën botërore kundër këtij fenomeni, OBSH jep alarmin se çdo vit 800 mijë persona i japin fund jetës. Edhe në Shqipëri shifra është e lartë, pasi mesatarisht çdo vit 230 persona zgjedhin të ndërmarrin këtë akt ekstrem. Për eksperten e shëndetit mendor Arjana Rreli, pas çdo rasti të tillë tragjik, fshihet një problem i shëndetit mendor.

Ajo u bën apel familjarëve, por edhe rrethit shoqëror të personave që kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor, që të shohin me vëmendje sjelljen e tyre, pasi çdo person para vetëvrasjes jep shenja.

Sipas psikiatres, problemet e shëndetit mendor në vend po shtohen duke prekur edhe moshat më të reja. Ndërkohë që shkaktar sipas saj janë kushtet ekonomike dhe ato sociale.

Të dhënat e OBSH tregojnë se një në 4 persona vuan nga problemet e shëndetit mendor gjatë jetës së tij. Ndërkohë që forma më e përhapur janë çrregullimet e ankthit, problem që është përhapur masivisht në shoqërinë shqiptare.

Klan Plus

Recommended