Tre ditë pas shembjes së HEC it në Holtë, një tjetër hidrocentral hedh themelet për tu ndërtuar
  • 5 years ago
GRAMSH - Tre ditë më parë autoritetet e IKMT prishën digën e ndërtuar për hidrocentralin e Holtës, por rreth 1 kilometër më tej po ndërtohet një HEC i dytë "STRORI". Kanë qenë banorët e zonës që denoncojnë ndërtimin që po kryhet në rrjedhën e lumit. Sipas tyre firma private ?Era Hydro? ka bërë punime në hyrje të kanionit, ka gërryer shtratin e lumit, ka marrë zhavorr, madje ka bërë edhe një mur ngjitur me hyrjen e kanionit, duke e bërë të vështirë hyrjen në Monumentin e Natyrës.

Tubacionet dy metër të gjerë dhe dy metër të lartë ku do të kalojë uji i lumit janë vendosur në dalje të kanionit. Për banorët e zonës grumbullimi i të gjithë ujit në tubacione do të jetë një masakër mjedisore, pasi uji përdoret prej tyre për tokat bujqësore dhe nëse një gjë e tillë ndodh ato të thahen."Ky investim na ka bllokuar të gjithë pjesën e Holtës dhe bukurinë natyrorë që i përket këtij komuniteti. Ministrja Belinda Balluku dhe Taulant Balla na premtuan se ky projekt nuk do të bëhet. Por pas dy javësh filloi prapë projekti. Është bërë më poshtë dhe sjell shqetësimin e banorëve. Fshati Kotorr dhe Liras janë pa ujë. Ka dy javë që janë shtrirë tubat, por punimet kanë rreth dy muaj që ka filluar".

"Na u premtua se nuk do të ndërtohet HEC-i, por nuk shohim një gjë të tillë. Projekti po vazhdon. Kjo zonë e gjitha do të thahet nëse futet uji në tuba", - shprehen banorët.

Të pyetur në lidhje me ndërtimin e një HEC-i të dytë, autoritetet vendore nuk pranojnë të japin një përgjigje zyrtare.

Kanioni i Holtës, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë dhe emrin e ka marrë nga lumi Holta, ndërsa vendimi për të ndërtuar aty HEC, që tashmë u shemb, u dha me një vendim të datës 27 prill të vitit të kaluar. Pas këtij vendimi banorët e zonës u ngritën disa herë në protestë derisa qeveria u tërhoq duke vendosur që të shembet diga e betonit.
Recommended