Report TV - Sherr në lokal, plagosen me armë tre persona pranë Pallatit të Sportit në Elbasan
  • 5 years ago
ELBASAN-Tre persona, dy nga të cilët me armë zjarri janë plagosur pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në një lokal pranë Pallatit të Sportit. Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes. Të plagosur me armë zjarri kanë mbetur Astrit Cërriku (pronari i lokalit) dhe Mihal Kocashi, ndërsa Fezi Ago është lënduar si pasojë e goditjes me sende të forta gjatë debatit që përfundoi në përdorimin e armës.

Të plagosurit që kanë lidhje fisnore mes tyre sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetën në spital. Dy prej tyre janë plagosur në këmbë dhe i treti në sy. Ende nuk dihen motivet e përplasjes. Ndërkohë që po punohet për kapjen e autorëve, njëri nga të cilët është Gent Faqja i dënuar më parë për vrasje.

Por si ndodhi ngjarja? Sipas informacioneve nga grupit hetimor, tre të plagosurit dhe autorët kanë qenë ulur në një tavolinë në lokal. Pas sherrit, njëri prej autorëve shkoi në shtëpi dhe mori armën e zjarrit tip kallashnikov dhe u rikthye duke i qëlluar. Fatmirësisht plumbat që u zbrazën nga arma e autorit nuk kanë kapur persona të tjerë që kanë qenë në lokal në atë moment.

Pas breshërisë me kallashnikov mbi tre personat që ishin në tavolinë autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit duke shoqëruar disa dëshmitarë për t'i marrë në pyetje me ngjarjen, mes tyre kamarierët e barit.

Ndërkohë që sipas burimeve të Report Tv pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka fshehur pamjet e kamerave të sigurisë. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre. Elbasani ka qenë gjithmonë një qytet problematik përsa i përket përplasjes së grupeve kriminale.
Recommended