Dosja 'Babale'/ Salianji në KPA për prokurorin e çështjes: Dorëzova një dosje inkriminuese
  • 5 years ago
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka qenë ditën e sotme te Kolegjit të Pavarur të Apelimit (KPA), sipas së cili ka dorëzuar një dokument inkriminues për prokurorin e Krimeve të Rënda, Gent Osmani, prokuror i çështjes "Babale".

Në fjalën e tij para mediave, Salianji i cili është akuzuar për "Kallëzim të rremë" lidhur me këtë dosje, shprehet se Osmani nuk është caktuar prokuror i çështjes me anë të shortit, por është zgjedhur nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, pikërisht për ta manipuluar këtë dosje.

"Subjekti në rivlerësim që vendos për emërimin apo shkarkimin e prokurorëve të cdo niveli ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, që do ta bëj publik edhe për mediat. Komunikimi me Alfred Alizotin, e ka vendosur vetë në përgjim dhe më pas ka komunikuar. Kam pasur dilema të forta nëse duhet ta bëja publike ose dhe kam pritur që gjykata ta çojë në Vetting. Por duke mos parë asnjë lloj reagimi, jam detyruar që ta bëjë publike. Është e dhimbshme si si prokurorët që paguhen nga taksat e shqiptarëve, vihen në dispozicion të krimit. Gent Osmani është vendosur jo me short, por me urdhër të drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të prishur dhe manipuliuar një dosje të trafikut të drogës dhe për ta kaluar atë në një kallëzim të rremë. Kaloi në një aferë të përdorimit të instancave të drejtësisë në duart e Ramës. Të korruptuarit do flaken nga sistemi i drejtësisë. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre", u shpreh Salinji.

Ky veprim nga ana e ish-deputetit të PD-së vjen një ditë përpara se Osmani të dalë përpara Kolegjit të Pavarur të Apelimit (KPA). Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë. Bëhet fjalë për blerjen e një apartamenti, për të cilin Osmani ka deklaruar se një pjesë e parave janë marrë me kredi.
Recommended