Report TV -Rama: 15 mijë kasa joraportuese, nuk do të tolerohet asnjë biznes...
  • 5 years ago
TIRANE - Përpara administratës Tatimore, kryeministri Edi Rama prezantoi drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, e cila deri dje ishte në krye të INSTAT, Institutit të Statistikave. Kreu i qeverisë tha se arsyeja e largimit nga detyra të Enton Duros, ish-drejtuesit të Tatimeve, erdhi për shkak të mungesës së rezultateve, dhe tha se pika kryesore ku do të fokusohet detyra e drejtueses së re, është pikërisht arritja e objektivave.

Në një takim që mbajti në kryeministri me drejtuesit e Tatimeve, Rama radhiti një sërë problematikash të evidentuara në këtë sektor, ku më kryesorja ishte mos lëshimi i faturave tatimore nga bizneset.

Shefi i mazhorancës tha se janë 15 mijë kasa që nuk raportojnë, ndërsa ngriti alarmin ndaj mallrave të akcizës, si alkooli, karburantet, cigaret, por edhe sektorin e turizmit dhe ndërtimeve, që sipas tij nuk derdhin kontribute në Tatime.

Rama tha se do të nisin konsultimet publike për një sistem të dixhitalizuar të faturave tatimore, përmes së cilit do të ketë kontroll në kohë reale të tyre. Në fund, kryeministri ju drejtua me një apel bizneseve, duke thënë se pavarësisht politikave lehtësuese për sipërmarrjet, tregu nuk është formalizuar. Kush nuk lëshon fatura tatimore - tha Rama - do të marrë ndëshkimin e merituar.

Një qëndrim të prerë e mbajti edhe ndaj administratës Tatimore.

"Situata politike e gjithë 6 mujorit të parë ka qenë në disfavor të punës suaj, performancës së shtetit, dh në këtë aspekt mund të ketë hapësirë për një mirëkuptim me bizneset dhe konsumatorët, por nuk është i mirëkuptuar asnjë drejtues i administratës Tatimore që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm. Nuk është i mirëkuptuar asnjë punonjës, asnjë inspektor terreni që nuk përmbush objektivin e përmuajshëm dhe nuk do të ketë mirëkuptim për asnjë syresh", tha Rama.
Recommended