Report TV - Alimadhi braktis Komisionin e Ligjeve: Kanë bërë mirë edhe ata tjerët që janë larguar
  • 5 years ago
TIRANE - Opozita e re parlamentare ende nuk e ndjen vet të integruar plotësisht në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë debateve këtë të premten në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kreu i grupit parlamentar të partive të djathta, Adriatik Alimadhi, e ndjeu veten të përjashtuar kur nisën diskutimet për projektvendimin për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. Në fakt, diskutimi u përqendrua mbi pretendimet e Alimadhit se opozita e re nuk është njohur me propozimet për rregulloren. Përgjigjen e mori nga deputetët e mazhorancës, Bashkim Fino Vasilika Hysi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Sipas tyre, deputetët e rinj i kanë pasur propozimet në tryezë prej kohësh, ndërsa shumica e tyre janë propozime nga opozita tashmë jo parlamentare, konkretisht nga ish-deputeti Enkeleid Alibeaj. Megjithatë, Manja tha se opozita e re i ka mundësitë për të bërë propozime konkrete dhe të mos merret me të shkuarën.
Alimadhi: Do kërkoja nëse deputetët e opozitës kanë bërë propozime, ne të njiheshim me ato
Hysi: Projekti i ndryshimeve në rregullore është një punë 2 vjeçare
Hysi: I kemi çuar çdo deputeti projektin më shumë se një herë
Alimadhi: Jemi deputetë të rinj, por ju nuk na sillni propozimet e opozitës
Fino: Ka 2 vjet që punohet, një pjesë e mirë e propozimeve janë të Alibeajt. Nuk mund të vijnë deputetët e rinj në mbledhjen e fundit të rregullores te kërkojnë nisjen nga fillimi. Keni 6 muaj që keni ardhur, materialet këtu i keni pasur
Alimadhi: Këtë material nuk e kam pasur, nuk e kuptoj çfarë problemi ka që nuk na vihen në dispozicion
Manja: Miratojmë rregulloren në tërësi, kërkoni propozime të kohës së shkuar. Opozita ka deputetët në seance dhe keni mundësinë të bëni propozime konkrete, nuk keni pse merreni me të shkuarën
Por deputeti Adriatik Alimadhi kërko shtyrjen e mbledhjes së komisionit të Ligjeve, kërkesë që u rrëzua, çka detyroi Alimadhin të largohet nga mbledhja.
Manja: Rrëzohet propozimi, vijojmë me rendin e dites
Alimadhi: Kane bërë mirë ata që janë larguar. Nuk respektohet asnjë propozim
(Alimadhi largohet nga mbledhja)
Por për cfarë projektvendimi bëhet fjalë?
Në rend të ditës se mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve ishte vazhdimi i shqyrtimit nen për nen të projektvendimit ?Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 ?Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë?, të ndryshuar, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-rezolutës ?Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike mbi gjendjen në shërbimin civil, për vitin 2018?
Recommended